RTSH: Starton sonte edicioni i 55-të i Festivalit të Këngës

Një mbrëmje e shënuar do të jetë sonte. Radiotelevizioni Shqiptar starton edicionin e 55-të të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, kompeticionit më të rëndësishëm të muzikës së lehtë shqiptare. Orë pas ore, minutë pas minuti, gongu pritet të bjerë për 24 konkurrentët e festivalit traditë, për surprizat e përgatitura që pritet të zbulohen gjatë tri netëve të këtij spektakli, i cili do të flasë për herë të parë me teknologjinë më bashkëkohore. Shumë edicione të këtij festivali mban mbi supe një nga dirigjentët e orkestres simfonike, Jetmir Barbullushi.

“Them që ka këngë të cilat do të krijojnë një garë interesante në natën e tretë, këngë që janë të bukura dhe besoj do të ketë edhe një material si në çdo festival konkurrenca do të jetë mjaft e fortë” tha Barbullushi.

Pjesë e këtij festivali jubilar do të jetë dhe një emër i njohur i muzikes shqiptare, kompozitorja dhe pedagogia e akademisë së arteve Eriona Rushiti. Këtë here ajo nuk do të jetë pjesë e jurisë siç jemi mësuar ta shohim në disa edicione të mëparshme, por kompozitore konkurrente. “Është shumë më ndryshe të prekësh emocionin, konkurrencën, dhe duket që konkurrenca është shumë e fortë këtë vit. Vërej një larmishmëri të madhe rrymash, stilesh, timbresh muzikore. Kam përshtypjen se është bërë një përzgjedhja shumë e mirë gjë që ne na vështirëson garën” tha Rushiti.

Gjithnjë Radiotelevizioni Shqiptar përmes Festivalit të Fundvitit, që nga dita e parë që ngriti siparin e deri më sot, u ka dhënë mundësinë zërave të rinj të prekin skenën e tij, madje edhe të triumfojnë duke rrëmbyer çmime. Këtë vit, këngëtarja më e re në moshë është e talentuara Adea Demaliaj. “ Fakti që jam shumë e lumtur që do debotoj në këtë festival është thjesht arsyeja që do jetë live pasi unë e dashuroj live-in dhe është ajo ndjesia që ti çdo gjë që e dëgjon është e gjallë dhe e ndjen më shumë si këngën ashtu edhe publikun prandaj dhe kisha kaq shumë dëshirë të merrja pjesë’ u shpreh këngëtarja Demaliaj.

Ankth, shqetësim, një detyrim madhor para shqiptarëve ndiejnë të gjithë të angazhuarit me Festivalin e Këngës. Ai duhet të mbetet uniku në çdo aspekt, organizim, prezantim vlerash muzikore pa diskutuar kënaqësinë e një spektakli gjigand.