Është mbyllur nata e parë e Festivalit të 56 të Këngës në RTSH, i cili falë organizatorëve dhe drejtuesit të njohur Adi Krasta, ka dhuruar një spektakël, shkëlqimi i të cilit do të mbahet mend gjatë. Festivali filloi me të madhin Ricardo Cocciante që  përcolli për publikun shqiptar hitin e tij “Margarita” e më pas një duet me këngëtaren shqiptare Elhaida Danin.
Festivali ka vazhduar më tej me 11 këngë të përzgjedhura me sqimë mes shumë krijimesh të autorëve që do të kishin dashur të ishin në ngjarjen më të vjetër dhe të rëndësishme të muzikës së lehtë shqiptare. Ato vinin përgjthësisht nga rryma pop rokut alternativ, por pati edhe balada mjaftë të bukura.
Ashtu sikurse kishin premtuar organizatorët e festivalit në skenën madhështore të ngritur në Pallatin e Kongreseve, natën e parë u rikthyen emrat e mëdhenj të muzikës së lehtë, si Elton Deda, Mariza Ikonomi,  vëllezërit Stefi dhe Endri Prifti, Voltan Prodani, Eugent Bushpepa, Bojken Lako, Manjola Nallbani, Redon Makashi,  por edhe të rinj si Luis Ejlli e Rezarta Smaja. Gjatë spektaklit të ftuar ishin dhe personalitete të ndryshme të botës së gazetarisë, biznesit, muzikës dhe sportit.
Nata e dytë pritet të jetë vazhdimi i spektaklit të natës së parë me këngë të reja, por edhe të ftuar e surpriza të reja. Sikurse lajmëroi drejtuesi Krasta natën e dytë do t’ju kushtohet të rinjve.