Linda Halimi mes fansave në Tiranë

Një pasdite ndryshe ishte kjo e së hënës për të rinjtë shqiptarë dhe kosovarë që prej vitesh ndjekin çdo gjë që ka lidhje me festivalin europian të këngës, Eurovision. Ata patën mundësi të takoheshin nga afër me fituesen e edicionit të 55-të të festivalit të këngës në RTSH, Lindita Halimi, e cila me këngën e saj Botë, do të prezantoje shqipërinë në Eurovision, që këtë vit mbahet në Kiev të Ukrainës. Në një cep të një bar kafeje në kryeqytet, Lindita, apo Linda, një këngëtare me zë të veçantë, e vlerësuar si e tillë edhe në botën amerikane të muzikës, për rreth dy orë iu përgjigj pyetjeve të admiruesve të saj por edhe të eurovisionit mbi punën që po bëhet për prezantimin shqiptar në Eurovision, por edhe për faktin sesi ajo po e përjeton këtë. Përveç bisedes në kafe, Lindita gjithashtu iu përgjigj pyetjeve të mbështetësve të saj “live” nga facebook, pasi për të ata janë shtylla e karrierës së saj.
“Që nga momenti që kam ardhë në festival jam mbështet shumë nga të gjithë fansat e eurovizionit dhe mund të them nga e gjithë bota dhe jam shumë entuziaste për këtë gjë dhe mezi pres tbëj performancën atje për të parë sesi do të dalin rezultatet. Jam shumë e lumtur që jam pjesë e Eurovizionit ktë vit” tha Linda.
Por as mbështetja e admiruesve nuk duket se është e paktë .
“Shpresoj dhe i uroj shumë fat dhe shpresoj që të kapim një pozicion shumë të mirë sepse zëri i saj është super i mrekullueshëm” u shpreh njëra nga fanset e saj.
Një Lindë e hareshme, e çiltër, dhe e dashur, ka besim se mbështetja e admiruesve nuk do t’i mungoje asaj as në Kiev.