Festivali i 55-të i Këngës në RTSH: Vazhdojnë provat, përzgjidhen prezantuesit

Vazhdojnë përgatitjet për Festivalin e 55-të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, i cili do të mbahet në datat 21, 22 dhe 23 dhjetor në Pallatin e Kongreseve. Këngëtarët konkurrentë çdo ditë vijojnë provat me Orkestrën Simfonike të Radiotelevizionit Shqiptar. Si për çdo vit, festivali do të jetë live, ndaj dhe provat për sinkronizimin e këngëtarit, orkestrës dhe bendit përbëjnë nje prej fazave kryesore të përgatitjes së eventit më të madh të muzikës së lehtë shqiptare. Duke qënë se festivali, gjithnjë ka patur strukturën e një spektakli me të ftuar, paralelisht organizatorët po punojnë edhe në këtë drejtim. Tashmë janë përcaktuar prezantuesit e këtij ediconi jubilar. Festivali i 55-të i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar rikthen pas 12 vitesh në skenë këngëtaren Ledina Çelo, por këtë herë si prezantuese. Prezantimi nuk do të jetë roli i saj i vetëm. Në tri netët e festivalit publiku do të ketë mundësinë ta admirojë Ledinën në të gjitha dimensionet e saj artistike.

Në krah të saj, do të jetë aktori shqiptar, i njohur në Gjermani, Kasem Hoxha. I larguar nga Shqipëria në fillim të viteve ’90 ai arriti jo vetëm të studionte, por edhe të kishte një karrierë të pasur si aktor me të paktën 40 role në kinematografi, veçanërisht atë gjermane.