Festivali i 56-të i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, pritet të riktheje elitën e artit dhe të kulturës shqiptare. Në skenën gjigante të Pallatit të Kongreseve, do të ngjiten për të interpretuar emrat më në zë të muzikës shqiptare, që kanë bërë historinë e këtij festivali.
Por jo vetëm kaq. Organizatorët kanë menduar që performanca e artististëve të shquar shqiptarë, të prezantohet nga një personalitet si i mirënjohuri Adi Krasta. Ai rikthehet në këtë ngjarje të rëndësishme të muzikës shqiptare, duke garantuar, sikurse u shpreh në konferencën e parë për festivalin, se gara do të jetë e ndershme dhe se Fest 56 do të mbahet mend gjatë për risitë që pritet të ketë.
Regjia e festivalit i është besuar një tjetër emri të njohur, regjisorit Pali Kuke. Edhe pse nuk zbuloi shumë detaje gjatë konferencës për shtyp, zoti Kuke e vuri theksin tek përpjekjet për të paraqitur sa më mirë 22 këngët tashmë të përzgjedhura, mes 70 krijimesh.
Drejtori muzikor i festivalit Sokol Marsi, vlerësoi cilësinë e këngëve, ndërsa kujtoi se krahas këngëtarëve të rinj, në skenë do të rikthehen emrat e mëdhenj të muzikës së lehtë, pjesë e këtij festivali prej vitesh, dhe i konsideruar si emblema e muzikës së lehtë shqiptare.