Ethet e Festivalit të 56-të të Këngës në RTSH,  ngjarja më e madhe muzikore e vitit, po shtohen dita – ditës. Gazetarja e RTSH  Mira Tuci e cila e ndjek nga afër përgatijet për këtë eveniment në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, zhvilloi një bisede me regjisorin e njohur Pali Kuke.

Pali ky është festivali i 7-të që ka gjurmën tuaj apo jo?

Faleminderit, ok le ta kujtojmë që është i 7-ti për mua, por është i 56-ti dhe ka vetëm 12 vjet diferencë me festivalin e San Remos. Është një festival ku mbasi e goditën në të 11-in rezistoi, vazhdoi dhe nuk e ndërpreu veten e vet. Është një festival që në 97-tën, kur fëmijë u vranë nga plumba qorr brenda shtëpisë së tyre, ai nuk bëri stop, është një institucion i mrekullueshëm!

Dha shpresë përmes muzikës!

Sigurisht përmes muzikës! Nuk ndaloj edhe në vitet më të vështira, por dha shpresë dhe sigurisht ai ia arriti në të 56-in. Sigurisht që do bëhet edhe shumë e shumë vjet. Po kthehen dallëndyshet!

Po, po kthehen dallëndyshet dhe ju e keni konceptuar bashkë me skenografin si një kurorë të artë megjithëse nuk është një përvjetor jubilar, është një përvjetor i artit. Sa herë bëhet ky festival?

Albi Çifligu me skenografinë e vet dhe me të gjithë atë metaforen tek e cila u mbështet, kishte shumë qejf ta merrte në mbrojtje traditën, këngën. Ka shumë festivale alternative, shyqyr që ka shumë festivale alternative, por Festivali i Këngës në RTSH ka për detyrë ta mbrojë këngën shqiptare, ta kultivoje atë sa më mirë, sa më bukur që të jetë e mundur në këtë botë globale ku shpërthejnë dhe gërshetohen kufijtë dhe pse jo ka derën e hapur për të gjithë ata të rinj, për të gjitha rrymat dhe kështu është fakt.

Në fakt kemi bigët, por kemi edhe të rinjtëqë vijnë pak më alternativë!

Pikërisht, pikërisht! Po ka shumë alternativë dhe vërtetë do të shihni që nuk ka vetëm balada të mrekullueshme, kemi këngë nga të gjitha zhanërat e muzikës le të themi. Dallëndyshet po kthehen në ktë folenë e tyre, në këtë kurorë, në këë mur të bukur figurativ që don ti mbroje, ti përqafoje dhe ti ruaje. Ndërroni numrin në telekomandë, hajdeni te RTSH! Vëreni në krye sepse po shohim që dashuria që është për këtë institucion nuk kalon lehtë, nuk është grehinë, i ka betonin dhe hekurin shumë të fortë dhe me shumë dashuri do tju përgjigjen të gjithë njerëzit që punojnë në RTSH.

Unë do të doja të mos shkëputeshim akoma pasi kam akoma disa pyetje për tju bërë që kanë lidhje me konceptin sepse ju përmendet anën e spektaklit, prurjet muzikore, por ndërkohë një nga boshtet kryesore të një spektakli që vazhdon tre net me radhë është edhe përmbajtja, do të kemi disa të ftuar, është zbuluar që do të jetë i madhi Ricardo Cocciante, por ndërkohë do të ketë edhe të tjerë që do ti japin përmbajtje këtij spektakli, festivalit!

Sivjet nuk u nisem që ta mbanim në grusht surprizen. Ne që në fillim i xhiruam këngët, i hodhem në internet që njerëzit ti shihnin, ti ndjenin, të afroheshin me këto melodi, të bënin krahasimet, të merrnin një mendim se kush është më e mira.
Për të gjitha këto që ti thua, në drejtimin e festivalit do jetë Adi Krasta. Është një risi shumë e këndëshme besoj për të gjithë që të shohin sesi do të “tribloje Messi”, me shpresë që të dalim me gol, por edhe po doli ndeshja barazim prapë jemi shumë mirë.

Do shohim batuta, intervista…

Po, po, shpresoj që nuk do të jemi thjesht në një prezantim dhe që do të mirëpritet me shumë dashuri çdo konkurent që do të vije, por do kemi një sofër të madhe me të ftuar shumë të mirë. Ju thatë Cocciante por do të ketë edhe shumë të ftuar të tjerë. Nuk të thashë kot që po kthehen dallëndyshet në folenë e tyre. Do të vijë Elsa Lila me orkestrën e vet, do të ketë numra shumë të bukur. Shumë të tjerë të ftuar ! Pra duam ti rrimë asaj që kemi thënë: që të bëjmë një festë të bukur të madhe të muzikës!

Faleminderit!