Fest 55 – Kush janë prezantuesit?

Festivai i 55-të i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar rikthen pas 12 vitesh në skenë këngëtaren Ledina Çelo, por këtë herë si prezantuese. Në krah të saj, do të jetë dhe aktori shqiptar, i njohur në Gjermani, Kasem Hoxha.

Por, kush është aktori shqiptar që do të prezantojë Festivalin e 55-të të Këngës në RTSH?

Kasem Hoxha është lindur më 12 gusht të vitit 1968, në Tiranë. Ashtu si shumë shqiptarë që vuajtën nga regjimi komunist, familja Hoxha nuk u shpëtoi dot vështirësive të kohës, që ndikuan jo pak në jetën e Kasemit dhe të katër fëmijëve të tjerë të familjes. Fëmijërinë e tij Kasemi e jetoi me gjyshërit, deri në moshën 6 vjeçare dhe kthimi në shtëpi ndodhi vetëm kur i duhej të fillonte shkollën.

Viti ’90 e përfshiu Kasemin në grupin e protestave të para kundër regjimit, një motivim i fortë që e bëri të largohej nga Tirana me valën e parë të Ambasadave. Destinacioni i tij tashmë ishte drejt një bote krejtësisht të re. Këtu fillon jeta e tij e re, pikërisht në Aschaffenburg të Gjermanisë, ku menjëherë u punësua në një kompani të prodhimit të letrës. Falë aftësive të tij të shkëlqyera në punë, menjëherë promovohet në një pozicion drejtuesi. Krahas gjithë arritjeve të tjera profesionale që pasuan në vitet në vazhdim, fillon dhe karriera e tij si aktor.

Nga viti 1998 deri në vitin 2002, Kasemi fillon studimet për Aktrim në Kompaninë e Aktrimit në Aschaffenburg, ku merr një sërë kualifikimesh deri në vitin 2005, në fusha të ndryshme të studimit. Dëshira e madhe për kameran që mbeti vetëm një ëndërr në Shqipëri, tashmë filloi të formësohej në Gjermani, ku pati një kulminacion të aktivitetit artistik më serialet televizive dhe prodhimet e kinemasë gjermane.

Deutche Welle e përshkruan me superlativa aktorin shqiptar, duke bërë një bilanc të suksesshëm që numëron më shumë se 40 role, si dhe pjesëmarrjen në një sërë festivalesh ndërkombëtaresh. Në festivalin e filmit në Këln, ai fiton titullin “Maska e Artë”, si aktori më i mirë. Disa nga filmat, ku ai interpreton janë: “Tatort-Operation Hiob”, “SOKO Wien/Donau”, “Wir müssen reden”, “Zelle, Ein Fall für Zwei”, “Alive” (prodhim shqiptaro-francez), etj.

Vetë Kasemi veçon si rolin më të dashur të tij atë të Sarajevos, tek filmi “Zelle” (Qelia), ndoshta ngaqë roli bën fjalë për një boshnjak, i cili ka humbur gjithë familjen në luftën e Bosnjës dhe ka ardhur të kërkojë azil në Gjermani.

Për herë të parë, Kasem Hoxha rikthehet në Shqipëri për një event që nuk ka lidhje me kinemanë. 21 dhjetori do e gjejë atë në skenën e madhe të Pallatit të Kongreseve, për të prezantuar Festivalin e 55-të të Këngës në Radio-Televizion. Kasemi shprehet mjaft entuaziast për këtë projekt të ri, i cili padyshim do të vërë në dukje gjatë tre netëve edhe aftësitë e tij aktoriale. Predispozita e tij për të qenë prezent në 21, 22 dhe 23 dhjetor e ka bërë që të spostojë datat e xhirimeve të një seriali në Gjermani, për të qenë pranë publikut shqiptar në ngjarjen më të madhe muzikore të vitit.

Ledina Çelo – Një rikthim në skenën e emocioneve të mëdha

Ledinën e njohim të gjithë, për vokalin e pangatërrueshëm dhe karizmën e saj në skenë.

Ajo është lindur më 9 shkurt të vitit 1977 në Tiranë dhe është një nga artistet më të spikatura të muzikës së lehtë shqiptare.

Ledina rikthehet në Festivalin e 55-të në rolin e moderatores, rol jo i panjohur për të, po të kujtojmë prezantimin e saj në festivalin e vitit 2003 në krah të Adi Krastës.

Ledina ka një histori të gjatë si këngëtare pjesëmarrëse në festivale, me këngë e performanca që kanë lënë gjurmë tek publiku për vokalin e saj të fuqishëm dhe stilin e pagabueshëm në skenë.

Ledina e ka filluar lidhjen me muzikën që në bankat e Liceut “Jordan Misja”, për të vijuar më pas studimet në Degën e Kantos. Fiziku elegant dhe përmasat prej modeleje kanë bërë që të angazhohet edhe në shumë sfilata mode, brenda dhe jashtë vendit.

Ledina i mungon prej kohësh skenës shqiptare, që pas martesës së saj në Gjermani me ish-kampionin e kickbox-it, Naim Kabashin. Së bashku ata kanë dy fëmijë dhe zhvillojnë aktivitetet e tyre në shtetin evropian, pa u shkëputur për asnjë moment nga lidhja me Shqipërinë dhe pasionet respektive.

Ledina kthehet pas një mungese të gjatë në skenën e festivalit, këtë herë me një motivim shumë të fortë: prezantimi nuk do të jetë roli i saj i vetëm. Në tri netët e festivalit publiku do të ketë mundësinë ta admirojë Ledinën në të gjitha dimensionet e saj artistike.

Karriera në vite e Ledina Çelos:

– 1992 – “Shtatori” (Konkursi i zërave të rinj, Vendi i dytë)
– 1995 – “E Doni Dashurinë” (Duet me Luan Zhegun në Festivalin e RTSH-së, ku zuri vendin e dytë. Kjo është kënga më e duartrokitur në historinë e festivaleve shqiptare (7 min.)
– 1996 – “San Valentino” (“Këngët e Stinës” – Vendi i parë)
– 1996 – “Kërko Dashurinë” (Festivali i RTSH-së)
– 1997 – “Fal” (“Këngët e Stinës – Vendi i parë)
– 1997 – “Ishte një ëndërr” (Festivali RTSH)
– 1998 – “Jetoni jetën” (Kolona zanore e “Miss Albania”)
– 1999 – “Ma ke prish Gjumin e natës” (Festivali RTSH, me Sabri Fejzullahun)
– 2000 – “Eja të vallëzojmë” (Festivali RTSH)
– 2003 – “Të dua se je ti” (Kënga Magjike – Çmimi i 2-të dhe Çmimi i produksionit)
– 2004 – “Nesër shkoj” (Fituese e Festivalit të RTSH-së dhe pjesëmarrëse në Eurovision 2005)
– 2005 – “Lojë Dashurie” (feat. Memli Krasniqi)
– 2005 – “Në një ishull që s’ekziston” – (Kënga Magjike)
– 2007 – “Të ndiej të huaj” – (Çmimi i 2-të dhe çmimi i interpretimit tek “Kënga Magjike”/ Çmimi për “Videoklipin me kamerën më të mirë” në Video-Fest)
– 2009 – “When the rain is gone” (Videoklip i tregut ndërkombëtar)
– 2010 – “Superstreching” (Produksion gjerman)
– 2010 – “Dangerous” (Videoklip ndërkombëtar, në 10-shen më të mirë gjermane)
– 2012 – “Can you touch me baby” (Videoklip i tregut ndërkombëtar, në 50-shen më të mirë gjermane)

123456