Kënga “Mall” e kantautorit të njohur Eugent Bushpepa u shpall fituese e Fest ’56. Dhënia e kupës u shoqërua me emocione të shumta, brohoritje dhe duartrokitje. “Jam i kënaqur që do të përfaqësoj Shqipërinë në Eurosong” tha Bushpepa. “I jam shumë mirënjohës RTSH” shtoi ai.

Mall është një krijim muzikor i vetë fituesit Eugent Bushpepa. “Shpresoj t’ju pëlqejë dhe t’ju ndihmojë të kaloni sadopak mallin që keni për dikë” tha Bushpepa kur kënga u publikua. Por ajo jo vetëm u pëlqye, por është tashmë fituese.  Në vend të dytë në Fest ’56 u rendit Redon Makashi me këngën “Egzistoj”, ndërsa në vendin e tretë Inis Neziri me këngën “Piedestal”.

Festivali i 56 i Këngës në RTSH ka ulur siparin e tij, por ai duket se ka shënuar hapjen e një epoke të re në historinë e institucionit më të madh e më të vjetër radioteleviziv shqiptar. Sikurse u shpreh edhe prezantuesi i festivalit Adi Krasta “RTSH kërkon të lerë pas krahëve shijet e neglizhencës së politikës ndër vite”. “Festivalet në RTSH, kanë qenë janë dhe do të jenë një burim i pashtershëm i muzikës dhe kulturës shqiptare” shtoi më tej ai. Fest ’56 pa dyshim ka dhënë kontributin e tij.