Eneida Tarifa me këngën e saj “Përrallë” është shpallur fituese e edicionit të 54-t të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar. Ajo triumfoi mes krijimesh të tjera mjaftë të spikatura dhe të pëlqyera nga publiku dhe juria. Vetë Tarifa, një nga këngëtaret më në zë prej vitesh në skenën shqiptare u shpreh e befasuar dhe mjaft e kënaqur për çmimin. “Eshtë një dhuratë e bukur  për vitin e ri” tha ajo. Kjo fitore i siguroi Tarifës përfaqësimin e muzikës së lehtë shqiptare në Eurosong 2016, që në majin e vitit të ardhshëm do të mbahet në Suedi. Nata e tretë e Fest 54, ishte një spektakël gjigand muzikor nën kujdesin e të mirënjohurit Elton Deda, drejtor artistik i festivalit. Ai përcolli një frymë të re në këtë eveniment, më i vjetri i muzikës së lehte shqiptare. Në festivalin u paraqitën 30 këngë të rrymave të ndryshme të muzikës së lehtë. Për herë të parë këngët u vunë në dispozicion të publikut kohë më parë, për të patur një njohje dhe  vlerësim më të plotë.