“Botë” kalon 170 mijë klikime

Pak më shumë se dy ditë nga publikimi në faqen zyrtare të Festivalit Europian të Këngës, video zyrtare e këngës “Botë” e Lindita Halimit, me të cilën Shqipëria do të përfaqësohet në këtë festival që do të mbahet në mes të muajit maj në Kiev, ka tërhequr vemendjen e publikut. Deri tani video është klikuar mbi 170 mijë herë dhe vazhdon të rritet.
Kënga “Botë” u shpall fituese në Festivalin e 55-të të këngës në RTSH, festivali më i vjetër i muzikës së lehtë në Shqipëri. Kënga është një krijim i kompozitorit Klodian Qafoku, poezia është shkruajtur nga Gerald Xhari, ndërsa regjisori i klipit është Kleidi Eski.
Pak ditë më parë Lindita ishte mes fansave të saj në Tiranë. “Që nga momenti që kam ardhë në festival jam mbështet shumë nga të gjithë fansat e eurovizionit dhe mund të them nga e gjithë bota dhe jam shumë entuziaste për këtë gjë dhe mezi pres të bëj performancën atje për të parë sesi do të dalin rezultatet. Jam shumë e lumtur që jam pjesë e Eurovizionit këtë vit” tha Linda për RTSH.
Këngëtarja shqiptare Lindita Halimi do të ngjitet në skenën e Eurosongut nè Kiev mbrëmjen e 9 majit, kur dhe është përcaktuar gjysmëfinalja e parë e festivalit.