Këngëtarja 10-vjeçare Ana Kodra gjendet këto ditë mes parapërgatitjeve për të përfaqësuar Shqipërinë në Festivalin Europian të Këngëve për Fëmijë: Junior Europian Song Contest, që do të zhvillohet në Tbilisi të Gjeorgjisë pas pak ditësh, në 26 nëntor. Kënga e saj me mesazh për mjedisin: “Mos ma prekni pemën” e kompozuar nga Kristi Popa e me tekst të Jorgo Papingjit është shpallur fituese afro një muaj më parë në festivalin Junior Fest, në një garë mes 16 këngëve për fëmijë të moshës 9-14 vjeç, të kënduara live në sallën e Akademisë së Arteve, e transmetuar ekskluzivisht nga rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, i cili është edhe organizatori i këtij festivali. Festivali bëri bashkë kompozitorë të njohur e këngëtarë të vegjël nga gjithë Shqipëria, por edhe nga shqiptarët e Kosovës e Maqedonisë. Ndërsa kënga “Mos ma prek pemën”, kënduar nga vogëlushja Ana Kodra u përzgjodh nga një juri e përbërë nga mësues të 7 shkollave të muzikës në të gjithë vendin.