Energjik, dinamik dhe me një zë tejet të veçantë, Naim Bunjaku, i njohur si Xuxi, e ka nisur karrierën e tij në vitet ’80-të, si anëtar i bendit “Sahara” për të formuar më pas grupin “Lindja”. Periudha më interesante e jetës së tij përkon me vitet ’90-të, ku ai largohet për në Itali e Gjermani, ku performon me grupe të njohura të huaja, duke lënë kështu artin e tij edhe në botë.
Pas kthimit në Kosovë në vitin 1997, djaloshi “rebel” nxjerr në treg albumin “Eja më merr” punuar nga Enis Presheva, ku korri shumë sukses, pasi përçoi mesazhe mjaft të forta.
Në Festivalin e RTSH-së ai do të interpretojë këngën “Metropol”, një projekt që koinçidon me emisionin e tij 12-vjeçar në Radio Kosova, i cili mban të njëjtin emër dhe që është më i ndjekuri në vend.