Orges Toçe lindi në Tiranë në një familje artistësh. Në moshën 4-vjeçare merr mësimet e para të violinës, ndërsa shkollën 8-vjeçare e kryen në shkollën e muzikës. Më vonë diplomohet në Liceun Artistik “Jordan Misja” në degën e Violinës. Shpirti i tij rebel bën që në ato kohë të vështira të viteve ’90-të të merret me muzikën pop, rock, jazz & blues, duke marrë pjesë në disa festivale dhe aktivitete të ndryshme të muzikës dhe lëvizjes së atyre viteve.
Ndikimet e forta të një instrumenti si kitara, bën që ai t’i dedikohet rregullisht dhe me pasion këtij instrumenti. Në vitin 1998 ai udhëton drejt Spanjës dhe gjatë kësaj periudhe përfshihet në shume grupe Pop/Rock/Jazz Gipsy Swing etj. Në vitet 2003-2009 kryen studimet në degën Jazz-Guitar në “Konservatorium der Stadt Wien“, ku në Nëntor të vitit 2009 diplomohet me titullin “Master of Arts”.
Aktualisht bashkëpunon me shume grupe e formacione te ndryshme, si “Orges & The Ockus-Rockus Band“, “Wilfried & Band“, “Fatima Spar Quintet“, etj).
Në festivalin e RTSH-së do të prezantohet me “Shi diamantesh”, një këngë mjaft e re mjaft e veçantë e rrymës Indi/ Pop-Rock, me një tekst “bohemo-romantik“.