Ai është një nga artistët më të talentuar të trevave shqipfolëse. Genc Salihu ka “fuqinë” magjike që fjalët e teksteve të tij t’i përkthejë në tinguj. Është ngjitur në skenë që pa mbushur moshën 15 vjeç, për të themeluar më pas grupin “Hajde” e më vonë për t’u bërë pjesëtar i grupit “Por-no”.
Koha e suksesit i mbërriti me bendin “Cute Babulja”, me këngë si “Udhë të mbarë”, “Kolateralisht”, me të cilën ka fituar dhe çmimin e madh në festivalin “Videofest”. Ish-mentori i The Voice ka studiuar për audio-inxhinieri në Londër, por Prishtina duket se e tërhoqi përsëri, derisa e përfshiu në vorbullën e saj.
Kantautorin e njohur do ta shohim këtë vit në skenën e festivalit të RTSH-së, me projektin “Këtu”, muzikën dhe tekstin e të cilit e ka krijuar vetë ai.
Jeta mes Tiranës dhe Prishtinës duket se do ta përndjekë gjithnjë Gencin, i cili ushqen një dashuri të veçantë për të dyja kryeqytetet shqiptare.