Fabiola dhe Agnesa janë dy personalitete krejtësisht të ndryshme nga njëra-tjetra, por projekti “Shkon e vjen” do t’i bëjë për herë të parë bashkë në skenën e Festivalit të RTSH-së. Fabiola nga Tirana (financiere) dhe Agnesa (dizenjuese mode) nga Shkupi kanë profesione të ndryshme, por pasioni që i bashkon është muzika. Të dyja kanë qenë pjesë e talent show-t “The Voice” dhe më pas kanë vijuar me karrierën e tyre artistike. Agnesa është duke punuar albumin e parë muzikor me grupin e saj “Fullstop”, ndërsa Fabiola ka konkuruar në disa nga kompeticionet më të rëndësishme muzikore në vend, duke arritur deri në gjysmëfinale. Dueti i tyre është një projekt mjaft energjik, që pritet të sjellë në skenë një atmosferë mjaft të veçantë.